Pjeter Koleci
Pjeter Koleci Art
Real Frescoes
Exhibitions
Përurohet në Ambasadën e Shqipërisë në Romë ekspozita me vepra të piktorit Pjeter Koleci
Ambasada e Shqipërise në Romë, me nismën dhe kujdesin e Ambasadorit Llesh Kola, në mjediset e saj përuroi ekspozitën me vepra të piktorit Pjeter Koleci. Ishin ftuar të merrnin pjesë miq dhe bashkëpunëtorë, shqiptarë me banim në Itali, drejtues shoqatash, profesorë, studentë, arbëreshë, italianë, trupi diplomatik, përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, etj.
Ambasadori Llesh Kola, pasi u uroi mirseardhjen të pranishmëve, theksoi se Ambasada jonë është dhe shtëpi e shqiptarëve, pra dhe vendi ku ata mund të shpalosin dhe artin e tyre. Arritjet dhe suksest e tyre janë dhe tonat dhe gëzimi është i përbashkët.
Sipas traditës së krijuar tashmë nga ne, vazhdoi zoti Kola, këtë radhë iu çelën dyert piktorit Pjetër Koleci, që banon në Trevizo, por vjen nga Lezha, është bashkëqytetari im, por dhe bashkatdhetari ynë. Të admirojmë vlerat e krijimtarisë së tij, duke qenë së bashku, gjithmonë bashkë për një imazh gjithnjë e më të mirë të shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Për vlerat artistike të kësaj ekspozite foli ministri këshilltar i ambasadës tonë, Visar Zhiti. Aq sa janë ngjyra të vendlindjes, janë dhe universale, tha ai. Ngjyrat janë personazhi i piktorit Pjeter Koleci, tek i cili gjejmë të projektuar të madhen dhe delikaten, planetin dhe qelizën. Dimensioni i lirisë është kryesori, aq sa piktori vizaton dhe korrnizat e pikturave, që duket sikur është kundër limiteve.
Piktori Pjeter Koleci tha se ishte vërtet i emocionuar, ai falenderonte Ambasadorin Llesh Kola për nderin që i bënte, duke i dhënë mundësinë e një ekspozite në sallën e madhe të Ambasadës së atdheut të tij, duke bërë që ai të komunikonte me këta vizitorë të përzgjedhur, që simbolizojnë shumë më tepër.
Pastaj së bashku të pranishmit vizituan veprat e ekspozura, e cila do të rrijë e hapur dy javë.
Veprimtaria u mbyll me një koktej.